Laptop për çdo mësues dhe tabelë interaktive në çdo klasë, të pajisura njëkohësisht nga viti 2026, si dhe 200 shkolla pilot.
Nga konsultimet me prindër, mësues dhe drejtues të shkollave të Tiranës, Këshilli konstaton një nevojë të madhe për mbështetjen e mësimdhënies dhe të teksteve mësimore me mjete didaktike audio-vizuale, që e bëjnë më të qartë konceptin e shpjeguar.
Sipas Këshillit, mësuesi duhet të ketë në dispozicion binomin laptop personal + tabelë interaktive. Nëse mungon njëri prej elementeve, elementi digjital bëhet jo praktik dhe i pazbatueshëm; përvoja me video-projektorë të lëvizshëm tregon se ata dalin jashtë përdorimit me kalimin e kohës. Investimi në laptopë dhe tabela interaktive duhet të bëhet i njëkohshëm.
Për këtë arsye Këshilli rekomandon:
- Pajisjen e të gjithë mësuesve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me laptop, duke filluar nga viti 2026.
- Pajisjen në të njëjtën kohë të të gjitha klasave të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me tabela interaktive (smartboard), duke filluar nga viti 2026 — plani i propozuar nga Ministria e parashikon këtë investim për 2029/2030.
- Pajisjen e 200 shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me laptop për mësuesit dhe tabela interaktive për klasat brenda vitit 2026, si shkolla pilot që do të ndihmojnë në ndërtimin e platformave kombëtare digjitale.
