Udhëzues për Kryetarët

Procedura hap pas hapi, modele dokumentesh dhe këshilla praktike për të ndërtuar komunitete të forta shkollore.

Hapat praktikë

Aktiviteti i Këshillit të Prindërve të Shkollës

I ri në këtë rol? Këshilli ynë është gjithmonë i hapur për t'ju mbështetur.

Kërko mbështetje

1 Përfaqëson prindërit e shkollës

  • Këshilli i prindërve përfaqëson prindërit e nxënësve të shkollës dhe jep ndihmesë në mbarëvajtjen e institucionit.
  • Mbron dhe promovon të drejtat e prindërve dhe shpreh pikëpamjet e tyre për cilësinë e shërbimit arsimor.
  • Lidh prindërit me drejtorinë dhe me këshillin e mësuesve

2 Ndërton një komunitet të fortë prindërish

  • Përfshin prindërit e shkollës në jetën e komunitetit
  • Organizon aktivitete të përbashkëta shkollë–familje
  • Mobilizon dhe organizon vullnetarët dhe sponsorët lokalë
  • Bashkëpunon me këshillat e prindërve të shkollave fqinje

3 Mbledh fonde për të ndihmuar shkollën

  • Sensibilizon prindërit mbi nevojat e shkollës
  • Organizon mbledhjen e dhurimeve apo kontributeve vullnetare nga prindërit
  • Mbledh fonde apo dhurime materiale nga kompani apo institucione
  • Raporton me transparencë fondet e mbledhura dhe shpenzuara te prindërit e shkollës

4 Organizon dhe financon aktivitete dhe projekte

  • Organizon dhe mbështet aktivitete artistike, sportive dhe shkencore për fëmijët
  • Nxit dhe ndihmon këshillat e klasave për të organizuar aktivitete
  • Ndërmerr nisma dhe projekte për përmirësimin e jetës dhe mësimdhënies në shkollë dhe i realizon në bashkëpunim me drejtorinë.

5 Organizon takime efektive

  • Përcakton kalendarin e takimeve (çdo muaj)
  • Përcakton dhe ndan paraprakisht rendin e ditës
  • Mban protokoll dhe ndjek zbatimin e vendimeve
  • Siguron pjesëmarrjen e prindërve

6 Komunikon me prindërit dhe shkollën

  • Krijon grupe komunikimi për klasat dhe këshillin e shkollës
  • Publikon buletinin për prindërit e shkollës
  • Komunikon dhe bashkëpunon ngushtësisht me drejtorinë dhe mësuesit
  • Ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me respekt
Baza ligjore

Këshilli i prindërve të shkollës sipas rregulloreve

Përmbledhje e rregullave për zgjedhjen, rolin, të drejtat dhe detyrat e këshillave të prindërve, në shkollë dhe në klasë.

Këshilli i prindërve të klasës — si zgjidhet

  • Brenda 10 ditëve nga fillimi i vitit shkollor, me përkujdesjen e mësuesit kujdestar, mblidhen prindërit e klasës.
  • Në këtë mbledhje zgjidhet me shumicë votash këshilli i prindërve të klasës, me përbërje nga tre deri në pesë anëtarë.
  • Kryetari i këshillit të klasës zgjidhet nga vetë këshilli me një mandat dy vjeçar.
  • Këshilli mblidhet të paktën një herë në dy muaj, sipas një tematike që planifikon vetë, ose me propozimin e mësuesit kujdestar.
  • Kryetari raporton në mbledhjen e përgjithshme të prindërve të klasës, si rregull, dy herë gjatë vitit shkollor.

Neni 92

Këshilli i prindërve të shkollës — si zgjidhet

  • Anëtarët e këshillit të prindërve të shkollës zgjidhen nga këshillat e prindërve të klasave. Mandati i tyre është dy vjeçar.
  • Numri i anëtarëve, nga gjashtë deri në nëntë, përcaktohet në rregulloren e brendshme të shkollës.
  • Në mbledhjen e parë, zgjidhet kryetari i këshillit të prindërve të shkollës, me shumicë të thjeshtë votash dhe me votim të fshehtë, ndërmjet kandidatëve për këtë detyrë. Mandati i kryetarit është dy vjeçar.
  • Në të njëjtën mbledhje përcaktohen detyrat e secilit anëtar.
  • Zgjedhjet bëhen çdo dy vjet, në fillim të vitit shkollor. Kryetari dhe anëtarët mund të rizgjidhen sërish.
  • Kryetari dhe anëtarët nuk duhet të jenë në konflikt interesi me drejtorin, nuk duhet të kenë precedentë penalë dhe nuk duhet të jenë në forumet drejtuese të partive politike.

Nenet 89, 90

Funksionimi i këshillit të prindërve të shkollës

  • Këshilli mblidhet të paktën tri herë në vit. Mbledhje të tjera zhvillohen me nismën e kryetarit ose të shumicës së thjeshtë të anëtarëve.
  • Mbledhja zhvillohet vetëm kur merr pjesë shumica e thjeshtë e anëtarëve; përndryshe shtyhet.
  • Vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash dhe nënshkruhen nga kryetari dhe sekretari.
  • Kryetari drejton veprimtarinë e këshillit; një anëtar caktohet prej tij sekretar.
  • Sekretari përgatit materialet e mbledhjeve, mban procesverbalin, lajmëron anëtarët dhe të ftuarit dhe mban arkivin e këshillit.
  • Drejtori i shkollës i dorëzon kryetarit dokumentet ligjore dhe raportet për vlerësimin e cilësisë, e informon për rezultatet e provimeve dhe vlerësimeve kombëtare dhe siguron një mjedis për takimet e këshillit.
  • Puna e anëtarëve është vullnetare.
  • Kryetari dhe anëtarët shkarkohen me shumicë të thjeshtë të votave të fshehta, për moskryerje të detyrës ose kur mungojnë në më shumë se gjysmën e mbledhjeve.

Nenet 90, 91

Të drejtat e këshillit të prindërve të shkollës

  • Të mbrojë dhe të promovojë të drejtat e prindërve të nxënësve të shkollës.
  • Të shprehë pikëpamjet e veta dhe të organizojë prindërit për të shprehur pikëpamjet për cilësinë e shërbimit të shkollës; për këto pikëpamje këshilli duhet të dëgjohet.
  • Të thërrasë mbledhjen e përgjithshme të prindërve.
  • Të zgjedhë me shumicë të thjeshtë votash prindërit që bëhen anëtarë të komisionit të etikës dhe sjelljes (neni 36).
  • Të caktojë prindin që bëhet anëtar i komisionit të shëndetit, sigurisë, mirëmbajtjes dhe mjedisit (neni 111).
  • Të vlerësojë në fund të çdo viti mësimor perfomancën e drejtorit të shkollës (neni 89/c)
  • Të organizojë takime të përbashkëta me këshillat e prindërve të klasave.

Neni 89

Ku mund të ftohet dhe ku merr pjesë

  • Në takimet e veçanta që drejtoria e shkollës organizon një herë në tre muaj me bordin dhe qeverinë e nxënësve (neni 47).
  • Në mbledhjet e këshillit të mësuesve, kur drejtori e fton kryetarin e këshillit të prindërve (neni 64).
  • Në mbledhjet e përbashkëta me këshillin e mësuesve, që organizohen të paktën një herë në vit (neni 91).
  • Në diskutimin e draftit të planit afatmesëm (neni 49) dhe në grupet e punës për planin vjetor të shkollës (neni 51).
  • Në hartimin e raportit vjetor të shkollës, me një përfaqësues në grupin e punës, dhe në shqyrtimin e raportit përpara se ai të dërgohet në ZVA (neni 55).
  • Në punën e komisionit të etikës dhe sjelljes, i cili i dërgon propozimet e veta edhe kryetarit të këshillit të prindërve (nenet 36, 41).
  • Në punën e komisionit të shëndetit, sigurisë, mirëmbajtjes dhe mjedisit (neni 111).
  • Në mbledhjet e vetë këshillit, ku kryetari mund të ftojë anëtarë të këshillave të klasave, prindër të tjerë, drejtues dhe mësues, si dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse (neni 90).
  • Këshilli i prindërve të klasës mund t'i drejtohet kryetarit të këshillit të shkollës me propozime për mbarëvajtjen e shkollës (neni 92).

Përmbledhje, jo tekst zyrtar. Referencat sipas neneve i takojnë rregulloreve në fuqi më 25-10-2026; Ref: Urdhër nr. 31, datë 28.1.2020, Urdhër nr. 420, 27/08/2025, etc. Për çështje zyrtare konsultoni tekstin e plotë dhe versionet e konsoliduara në Qendrën e Botimeve Zyrtare.

Shkarko tekstin e plotë (PDF, 1,1 MB)
Dokumente

Modele dokumentesh të gatshme

Modele të gatshme për dokumentet më të përdorshme të këshillit të prindërve. Shkarkoni, plotësoni dhe përdorni.

Modelet e tjera — protokoll takimi, rregullore e brendshme, raport vjetor, etj. — janë në përgatitje.

Doni të shtoni një model dokumenti?

Nëse keni krijuar një model dokumenti që nuk është në këtë listë na e dërgoni dhe ne do ta shtojmë. Faleminderit për ndihmën tuaj.

Na shkruani