Rekomandime për sigurinë në shkollat e Tiranës

Mbas një analize të sigurisë në shkollat e Tiranës, Këshilli i prindërve të Tiranës përpiloi mbi 70 Rekomandime për rritjen e sigurisë në shkolla. Nga agjencia e sigurisë dhe oficerët te psikologët, transporti e ushqimi: masat që Këshilli i propozoi institucioneve.

Drejtuar
Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Për dijeni
Ministrisë së Brendshme, Bashkisë Tiranë dhe Zyrës Vendore Arsimore Tiranë
Data

Këshilli i Prindërve të Tiranës përpiloi listën e rekomandimeve në bashkëpunim me këshillat e shkollave të Tiranës, pas një bashkëbisedimi të gjerë me prindërit, oficerë sigurie, psikologë, mësues dhe drejtues shkollash.

Rekomandimet nisin nga parimi që siguria e fëmijëve duhet të monitorohet dhe menaxhohet si një e tërë: brenda shkollës, përreth saj, gjatë transportit dhe në rrugë, në aktivitetet sociale e sportive, në shëndet dhe ndihmën e shpejtë, nga zjarri e fatkeqësitë natyrore, si dhe në ushqim e higjienë.

Ndër masat e propozuara:

  • Krijimi i një agjencie të sigurisë në shkolla, me personel dhe buxhet të veçantë, në varësi të ministrit të Brendshëm, ku të kalojnë oficerët e sigurisë.
  • Oficer sigurie në çdo shkollë ku mungon, raportim semestral në këshillin e prindërve dhe një grup zëvendësues i trajnuar.
  • Kamera sigurie në të gjitha ambientet e përbashkëta, butona alarmi në zonat e errëta dhe detektorë tymi në tualetet e shkollave të mesme.
  • Psikolog në çdo shkollë ku mungon dhe një ekip permanent për identifikimin e kërcënimeve.
  • Ulja e numrit të nxënësve në klasë, me maksimum 25 nxënës.
  • Kontratë vjetore mes prindërve dhe shkollës, bashkë me rregulloren e brendshme dhe procedurat e referimit të problemeve.
  • Rregulla për internetin dhe rrjetet sociale, përfshirë mbledhjen e celularëve para mësimit dhe filtrimin e përmbajtjes për fëmijët.
  • Plan veprimi për emergjencat shëndetësore, verifikim vjetor i mjeteve të ndihmës së shpejtë dhe trajnime periodike.
  • Kontrolle të ushqimit pranë shkollave, ndalim i pikave të shitjes brenda oborreve dhe rritje e dënimeve për shitjen e alkoolit, cigareve dhe vape te të miturit.
  • Pika uji të pijshëm, ndriçim i zonave përreth, largim i kabinave elektrike nga oborret dhe ndalim i punimeve me lëndë kimike gjatë orarit mësimor.
  • Sinjalistikë dhe zvogëlues shpejtësie pranë shkollave, trotuare të sigurta dhe parkim i dedikuar për çdo shkollë.
  • Zgjatje e orarit deri në orën 16:00, forcim i lëndëve Sport, Muzikë dhe Art, futje e Logjikës dhe e të menduarit kritik në shkollat e mesme.

Këshilli shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me Ministrinë për të çuar më tej rekomandimet dhe për të detajuar ndryshimet ligjore të nevojshme.

Dokumenti origjinal

Teksti i plotë i dokumentit, në format PDF (223 KB).

Shkarko PDF-n

← Kthehu te lajmet